Monday, February 4, 2013

Një kafe në Shkozë, me Kitën, Kozetën dhe Dallandyshen

Brisilda me femijet e komunitetit Rom


Kita është një grua jo shumë e gjatë, me sy jeshilë, e qeshur dhe gjithë kohës mban në krahë vajzën e vogël. Vajzën e pestë të saj, që nuk e ka më shumë se 16 muajshe. Kozeta është 32 vjeçe, pak e shëndoshë, megjithëse prej muajsh nuk e dinte shkakun e rrumbullakësisë së saj. Ishte pak konfuze, në ishtë shatëzënë apo jo. Ndërsa 38 vjeçarja, Dallandyshja,  të bie kokës me gjërat që i thotë troç.

Nuk e njihte fushën e shtrembërimt të realitetit,  edhe pse po ta praktiktonte e dinte që do kishte përfitime.
Kjo është kafja ime e të shtunës, para fundit të janarit.  Një mëngjes i ftohtë, ku rrugët s’kanë lëvizjen e përhershme të orës 8:00. Gjatë rrugës që bëj me këmbë për të mbërritur tek sahati i Tiranës, aty ku do takohesha me Brisilden udhërrëfyesen time, mendoja se sa mirë do kish qënë sikur të isha ende në gjumë. Sikur ta kisha lënë për një ditë tjetër këtë takim, apo ta kisha shtyrë pak në kohë. Mirëpo e gjitha kjo mund të kishte kosto; s’do të mund ti takoja këto gra qoftë edhe një minutë më vonë, sepse ato e fillojnë punën shumë herët.
Nga ana tjetër, e kisha edhe me shumë qejf, se do pija kafe me disa vajza dhe gra që do i takoja për herë të parë.

Brisilda, është ndër të paktat e vajzave Rome që ka arritur të përfundojë studimet për marredhenie publike/komunikim.  Ajo pasi vendosi të më shoqëronte në këtë takim, pak e surprizuar kur më sheh që jam pa makinë, shpejton të më thotë që rruga është disi e gjatë deri në Shkozë. Ndërkohë unë nxitoj ti sqaroj (siç kam bërë gjatë gjithë kësaj kohe) se prej më shumë se një viti jam pa makinë se kam vendosur të kujdesem për shëndetin tim dhe ambjentin ku jetoj. (Ajo qe ndër të paktat që nuk qeshi)
Megjithatë ky detaj mbi mënyrën e jetësës, bie nga rëndësia kur shoh stilin e jetës së Kitës, e të tjerave si ajo dhe fëmijëve të tyre. Kalova ditën në Shkozë, me 57 familje Rome që banojnë aty, ku cdo familje shkon deri në 12 anëtarë secila, gjithsej 90 fëmijë, dhe me nga një barake të qepur mirë nga të katër anët me plastmas. Pa u futur mirë në komunitet, ndihet era e djegies së këpucëve për ngrohje.  
Kita është liderja e grupit. Më çon të takoj Kozetën, shoqen e saj e cila ka një problem të madh. Nuk e di ende a ka një fëmijë në bark apo jo. Domethënë të 4-tin, ose më saktë të 5-tin. Ajo më tregon se femija i 4-rt i ka vdekur dhe nuk ka pasur as lekë për ta varrosur. Bëhem shumë kurioze të di pse nuk bën një vizitë gjinekologjike dhe bashke më gratë e tjera më kthehet e më thotë jo pa nerva:  “Ne nuk na prekin me dorë, dhe pa leke nuk bëhet fjalë të na ndihmojnë”. Ajo nuk merr dot as kujdesin mjekësor por jo sepse e neglizhon vetë.

Ndërkohë Kita dhe ndonjë burrë tek tuk që vjen rrotull fillojnë nga ankesat, tani jo më për bukën e gojës por kërkojnë edukimin e fëmijëve të tyre. Dhe këtu është Dallandyshja e cila ndryshe nga të gjithë nuk më përmendi asnjë personazh politik. Kërkesa aspak të çuditshme për ndihma financiare, por nuk bën me faj ndokënd për situatën e vazhdueshme. Donte thejsht t’i jepte fëmijeve atë që s’kishte patur vetë. Këtë e pretendonte si një të drejtë të barabartë me të gjithë “rracën time”, kështu ma përkufizoi.
“Unë s’di të mbush një formular,-tha, se plaku im dontë të bënte 7 fëmijë, dhe nuk kishim me çfarë të ushqeheshim e as të visheshim për të shkuar në shkollë. Dy hapa larg e kishim shkollën, por pak xhelozia e babait (dhe këtu e kishte fjalën për fanatizmin) dhe pak shokët e klasës nuk na pëlqenin dhe ne po rrimë sot tu bo të njëjtën gja si nanat tona”- thotë  Dallandyshja.

Adi 10 vjeç thotë se edhe kur shkonte në shkollë atë e shanin shokët e klasës. Nuk luanin asnjëherë me të, nuk e thërrisnin kurrë në emer. “Edhe mësuesit nuk merreshin shumë me ne, me raste edhe na trajtonin keq. E pse duhet me shku në shkollë pra? As librat s’mi blejnë, as buk skam me vete, prandaj rri këtu, dhe mu më pëlqen shumë shkolla”.  Edhe përtej dëshirës së Adit, kjo prapë nuk ia ndryshon pozicionin social.

Paragjykimet se ata dinë dhe duan veç të lypin nuk se qëndrojnë 100 përqind. Ata e dinë se çfarë u duhet dhe kërkojnë të jetojnë. Eshtë e thjeshtë. Mund ta mësosh këtë duke i dëgjuar dhe duke i takuar. Nuk është aspak siklet të flasësh për romët dhe të pish një kafe me ta.





Kita dhe Kozeta

No comments:

Post a Comment