Tuesday, February 26, 2013

Semafor





semafori i galerise

Këtë javë kam qënë në ndjekje të semaforit. Por jo atij urban. Një lloji të veçantë për nga kuptimi dhe jo krejt i ngjashëm me atë të zakonshmin. Nuk e mbaj mend pse nuk iu bashkova grupit të mikeshave të mia, të cilat, pasi kishin zbuluar përmes internetit një ekszopozitë të çuditshme, vendosën të shkonin ta vizitonin. Pasditen e të nesërmes u nisa edhe unë me dy vajzat e mia, por nuk patëm fat pasi ekspozita qe mbyllur. Paraditen tjetër, shkova vetëm, por sërish mbyllur. Edhe pse lokalizimi i vendodhjes ishte pak i mbrapshtë, i zorshëm për tu gjetur menjëherë, i zhytur mes disa rrugicave të thella diku nga rruga e liqenit të Tiranës, nuk hoqa dorë. Sepse semafori si koncept më intrigoi shumë. Ditën e tretë, pas shumë përpjekjeve dhe gërmimeve të mia për ti kontaktuar çunat e galerisë, më në fund ato ishin aty.


Orsoni është njëri nga tre artistët që menaxhojnë galerinë dhe që më shpjegon diçka rreth veprës. Klodian Deda, është artisti i cili nuk ndodhet për të folur mbi punën e tij “Semafor”, por ndërkohë një djalë tjetër, Astrit Tzani, me profil psikolog ka afishuar në murin e galerisë një kritikë për tu patur zili. Dola nga ajo sallë e vogël pas disa minutash, pasi kisha shtypur edhe unë butonin e semaforit ku jo pa qëllim i mungonte portokallia dhe ku ngacmimi mbi një tjetër dimension jetësor për këtë objekt, mori hov. U ula në cepin e preferuar të “çokos” me ëmbëlsirën time dhe fillova të mendoj si do ishte jeta jonë nëse do fusnim semaforin në shtëpi, dhe ne shoqeri, siç artisti në fakt e kishte menduar këtë detaj që me instalimin e tij në një sallë të mbyllur.

Por le të bazohemi në analogjinë tonë, të objektit të përditshëm që mban emrin shtëpi. Ajo është një kontinier i vërtetë me disa atribute të caktuara, ku në vetvete është një objekt pasiv (duke iu referuar hapësirës që zotërojmë, numrin e shtretërve, etj). Nga ana tjetër, ne, njerëzit që jetojmë aty (objekti aktiv) jemi të vetmit që përdorim dhomat, krevatetet, dushin, kuzhinen për të gatuar, shohim TV apo dëgjojmë muzikë me zë të larte. Sidomos kur hapësirën nuk e ndajmë me asnjë tjetër, gjithçka e kemi në funksion tonin. Deri këtu semafori mund të mos jetë shumë i domosdoshëm. Mirëpo pasi hapësira zotërohet nga një person i dytë, gjërat fillojmë dramatikisht të ndryshojnë kurs. Le të fokusohemi tek martesa. Aty ku ne tamshmë jemi vetë i dytë dhe ku gjithmonë duhet të sigurohemi përpara se futemi në dush nëse është i zënë nga  ai/ajo (flas për periudhën post-mjalt por vrap). Po ti shtojmë kësaj edhe nja dy fëmijë për të martuarit, gjërat fillojnë të bëhën më interesante në këtë shtëpi. Këtu nuk dua ti referohem familjes tradicionale shqiptare. Se po të vazhdoj, do ishin edhe prindërit e burrit, ndonjë vëlla a motër i pashkëputur akoma nga kulmi e kështu prania e semaforit është jetik. Prandaj po rri vetëm në familjen moderne shqiptare ku dhe përkufizimi që Astriti i kish bërë kësaj të fundit në asocim me veprën përmblidhej aq saktë: “Shtëpia e njeriut modern i ngjan një farke e më shpesh një tenxhereje me presion”. Këtu fillova të imagjinoj tualetin si të vetmen hapësirë të cilën nuk mund ta shfrytëzojmë bashkarisht, siç kundër ndodh me sallonin, kuzhinën, apo dhomat e secilit.  Gjithçka në këtë pikë ka të bëjë me prioritetin në mënyrë që presioni i tenxheres të ulet. Fillova të imaxhinoj të gjithë njerëzit në një shtëpi ku njëri zë tualetin dhe gjithë tjerët pas derës që presin. Të gjithë ato kanë urgjencat e tyre, dikush ka afat kohor për të qënë në një takim, tjetri për të mos humbur mësimin etj. Në këtë rast pyetja që shtrohet është; “ çfarë ndodh kur dera është e mbyllur? Kush e ka rradhen pastaj? Me të drejtë mund ta quash “të ndershme” që të përfitojë  ai që është i pari në radhë, më i vogli, apo më i moshuari, ai/ajo me emergjenca shëndetsore, profesionale etj. Me gjithë këtë llogjikë “të ndershme” prapë jemi bërë lëmsh e po shkapetemi dhe të gjithë mendojnë se kanë të drejtë të futen.
Prandaj semafori është përgjigja. Prioriteti që na jep ai duke mos na lënë në udhëkryq, duke eliminuar portokallinë me kalojmë s’kalojmë e bën po aq të nevojshëm prezencën e këtij arbitri të pashpirt. Ai na lejon ne të harmonizojmë lëvizjet tona shpeshherë të shtrembëruara edhe nga mendimet tona. Nje semafor do te ishte i nevojshem ne gjithe lemshin qe krijojne mosmarreveshjet, tekat dhe kapriciot e secilit prej nesh ne shtepi, e madje dhe me shume, ne shoqeri.

U kujtova që edhe gjatë vizitës në galeri, fizikisht, mu desh të shtypja butonin e semaforit në mënyrë që ai të më jepte lejen që të kaloja në tunelin tjetër. E kështu mu duk se u zura në grackë në fund të atij tuneli kur mu desh të prisja sa e kuqja të kthehej sërish në jeshile, në të kundërt unë do kisha një përplasje të pakëndshme me vizitorin pas meje. Në fakt kështu ndodh në disa shtete të bashkimit europian. Që semafori të bëhet jeshil duhet të shtypet nga njerëzit të cilët me të drejtë gjykojnë se kanë prioritet dhe të tjerët presin. Tek ne, rasti i semaforit urban me atë metaforik në shtepitë tona nuk duket se kanë shumë ndryshim.
Sa hap e mbyll sytë edhe unë kuptova se sapo kisha marrë një dozë të mirë kalorish nga çokollata ime, atë pasdite pas qëndrimit tim në semafor.

Orsoni, nje nga menaxheret e galerise

3 comments:

  1. interesant ky shkrim Gentiana..kohet e fundit ju ftojme te reflektoni se si do te ishte nje semafor vetem me te kuqe...

    ReplyDelete
    Replies
    1. This comment has been removed by the author.

      Delete
    2. sugjerim interesant, pse jo....do e kem parasysh

      Delete