Wednesday, February 20, 2013

Komunikimi duhet të jetë matematikë….dhe ne se kemi shumë qejf matematikën



Fjalët janë ato që ndryshojnë sjelljen. Janë fuqia në një marrëdhënie. Mungesa e tyre, apo më keq, fjalët e gabuara, krijojnë një vakum të madh mes dy apo më shumë individëve. Ky vakum i cili mund të quhet ndryshe ndërprerje e komunikimit vjen si pasojë e fjalëve tona. Ndoshta ngjan si një leksion, por në fakt është ajo çfare ne jetojmë. Por pse komunikimi duhet të jetë matematikë dhe pse ne ngelim në klasë?! 

Gjatë gjithë kësaj jave kam qënë duke menduar dhe observuar komunikime të ndryshme, të njerëzve të ndryshëm, në situata të caktuara, nisur edhe nga ca eksperienca te miat (jo fort pozitive për hir të së vërtetës). Në fokusin tim të vëzhgimit ishte komunikimi në rrugë, në institucione, ai virtual, profesional e deri tek ai miqësor (nuk po përfshij atë familjar pasi lypset të trajtohet gjërisht më vete edhe pse gjithçka e merr fillesën aty). Ky mjet që supozohet të jetë zgjidhësi i shumë problemeve që gjenerojnë kriza, ka filluar të kthehet vetë në një problem të pazgjidhshëm.  Në një nga këto pasditet me shi, mikja ime më e mirë me të cilën po shijonim një cokallatë, filloi të më fliste shumë për moskomunikimin ose më saktë për atë lloj komunikimi servil nga njëra anë, dhe agresiv nga ana tjetër, që ekziton në vendet tona të punës. Në fakt edhe ajo vetë e di se kjo s’është ndonjë gjë e re, porse kjo po kthehet në një trend të konsoliduar dhe po bëhet shqetësues. Këtu mu kujtuan shumë episode të jetuara ca muaj më parë, që nisën të më shfaqeshin si momente ku komunikimi u kthye në një eksperiencë frustruese, me të cilën sigurisht nuk u përshatata. Këtu mikesha ime filloi të më shpjegonte se duke kaluar nga njëri problem tek tjetri, mospërshtatja dhe refuzimi në bllok i tyre, do krijonte gjëndje jo fort të mirë për realitetin në të cilin jetojmë. Megjithatë, në morinë e pështjellimeve psikologjike më erdh në mendje një atmosferë e ngjashme. Mu kujtua se si shumë punonjës që ta kenë mirë me shefin duhet të bëjnë shoqe sekretaren, edhe pse me të nuk të lidh asgjë profesionale, përvec etikes humane. Duhet ta kesh mirë me sekretaren, edhe se këto të fundit ndonëse të ndërgjegjësuara për rolin e limituar që kanë, kanë në dorë të realizojnë atë që quhet komunikim i varfër . Kjo, sigurisht sjell pasoja të mëdha në një kompani apo institucion, që çon më pas deri në cënim të integritetit të kujtdo që nuk është servil. Mund të renditen raste dhe shëmbuj pafund të sjelljes sonë për të cilën komunikimi nuk na bën shumë krenarë. Po ashtu, hirearkia vertikale në administratë, dhe shefat e egër dhe të gjithëditur, bëjnë që të mos ketë fare shkëmbim fjalësh apo idesh, por vetëm dhënie dhe marrje urdhërash. Kjo sjell një stres të përditshëm, pasi kemi qindra dhe mijëra vetë të palumtur në punën e tyre. Prandaj mendoj se komunikimi duhet të jetë matematikë. Sepse është shumë më tepër se të dërgosh e-maile, të dërgosh fax-e, memo, apo, të kalosh informacion edhe pse në të gjitha këto, fjala është sërish thelbi. Komunikimi ka të bëjë me diçka më shumë,  ka të bëjë me llogaritjet. Po, një komunikim i mirë duhet të planifikohet mirë, duhet të jetë i qëndrueshëm dhe mbi të gjitha i parashikueshëm për nga mesazhi, për bashkëbiseduesin tonë. Andaj pa llogaritje, fjala nuk mund të lëshohet. 
Megjithatë kjo është vetëm njëra anë. Nga ana tjetër, e parë në një kontekst më të gjërë, komunikimi na shërben ne edhe si mënyrë e të ndryshuarit sjellje për shumë kategori dhe grupe të margjinalizuara në shoqëri. Në ditët e sotme, komunikimi që ndodh si një proces i ndryshimit social të sjelljes, ka të bëjë gjithashtu me një farë bilanci. Në mes është një plan i qartë. Shumë programe ndërkombëtare e vënë theksin jo më tek ndihmat financiare konkrete, porse tek përpunimi i mentalitetit të këtyre grupeve përmes ndryshimit të sjelljes qe kryhet vetëm nëpërmjet komunikimit. Kjo do të thotë se nëse një kategori e shtresës vulnerabël nuk paguan detyrimet e energjisë elektrike apo të ujit, pavarësisht arsyetimeve të drejta apo jo mbi çmimin, ato duhet të ndryshojnë sjelljen e tyre kundrejt abuzimit. E thënë ndryshe, kultura e kursimit, e fikjes së një drite, apo mosshpërdorimit të ujit në mënyrë të vazhdueshme, çon në ndryshimin e sjelljes së tyre. Ky ndryshim është shtylla themelore e komunikimit. Ka të bëjë me saktësinë, e cila shkon përtej asaj teknike. Vetëm kështu, mund ta kalojmë klasën. 

No comments:

Post a Comment