Më qëllon shpesh që teksa mbyll një kapitull në librin "Fletoret e fshehta te gruas së Dostojevskit", ti lëshohem facebookut. Një përplasje kohësh, aromash dhe atmosferash. Ka një magji tek ditari i gruas së Dostojevskit, rëndësia që ajo i ka dhënë ditëve të atëhershme pranë një prej mendjeve më misterioze të letërsisë botërore, një ritual gati hyjnor se si ajo ka renditur orët e minutat e mesit të viteve 1800, kur fjala peshonte shumë dhe ishte me siguri më e vlerësuara në bursën e kohës. Këto ndjesi nuk i gjej dot në ditarin e madh të facebook. Më rastis ta lë librin shpesh, në mënyrë të shkujdesur, mbi laptop. Më del ky asocim, Ditari i Anës, mbi ditarin e Zukerbergut. A nuk është i tillë facebook, a nuk të thotë sa ta hapësh, çfarë ke në mendje, çpo ndodh?
Ditari
mbetet një mënyrë e mirë për të shprehur ndjenjat, për të komunikuar me veten,
për të ruajtuar kujtime, mendime apo edhe ngjarje të rëndësishme. Ai modeli i
vjetër, ku prek letrën dhe ndjen stilolapsin në dorë. Për idenë klasike ku atë
që shkruaj këtu nuk dua të ma lexojë njeri.
Edhe
Ana G. Dostojevskaja e kish shumë të qartë diferëncën mes fletoreve të saj
ditar, dhe atyre shënimeve të tjera për publik kur botoi “Kujtimet”, dhe kur nga
ana tjetër nuk pranoi ti jepte zë mendimeve më intime të jetës me Fedian (siç e
quan ajo Fjodor Dostojevskin). Por kureshtja njerëzore është aq e madhe sa këto
fletore e panë dritën e botimit edhe pse kundër dëshirës së saj. Edhe pse të
shkruara qëllimisht me një stenografi gati krejt të padëshifrueshme, ditarin e
Anës sërish e kanë të gjithë.
Ndërkohë
ditarin elektronik, tonin, ne me dëshirë e bëjmë publik, dhe po me kaq dëshirë kërkojmë
ta lexojmë tek sa më shumë të tjerë. Nuk kursehet asgjë. Marrim vesh cdo detaj
të jetës. Nga kulmet e mëdha të një dite, tek gjërat më të vogla, gati banale,
për secilin që është në rrjet. Por nuk është ky problem. Në fakt, e keqja është
se nuk jemi të vërtetë. Ky është një ditar i rrejshëm. Një ditar për shitje,
ajo cka ne nuk jemi, po cfarë duam të tregtojmë.
Kur
Mark Zuckerbergu na bën atë pyetjen e famshme për mendjen tonë ai gjithashtu e
ka të qartë se ka filluar loja “telefon i prishur”. Se fotografia nuk është
gjithmonë ajo çfare ne jemi në realitet, se komenti tek tjetri nuk është krejt
i sinqertë, se mendimi jonë nuk shfaq gjithmonë atë çfarë na shqetëson, por vetëm
atë çka ne mendojmë se do të na nxirrte mirë në publik, krejt ndryshe pra. Me pak fjalë kemi filluar të
gjithë një show. Në të shumtën e rasteve, nuk është koha e rrjeteve të medias
sociale, por është koha e show-t dhe protagonizmit.
Ka
një problem me të vërtetën në ditarin e Markut, që në atë të Anës del krejt
lakuriq. Ditari elektronik ka avantazhe për disa probleme sociale, politike a
shendetësore, që na prekin të gjithëve,
apo për dinamikën e jetës në kohët modern, por që ne në përgjithësi nuk e përdorim
për këtë qëllim. E kemi kthyer në një bursë, ku presim të kuotohemi cdo ditë,e
ku verifikojmë aksionet tona.
Kjo
lë gjithnjë hapësirë për atë ditarin intim, atë bllokun e shtypur e të lidhur,
ku ne mund të jemi të sinqertë me veten dhe të shihemi në një pasqyrë reale.
Kur
ndihemi të vetmuar, keq shpirtërisht, jo
në humor apo në disa raste edhe të pashpresë, nuk i besojmë Markut se ai është
thashethemaxhi i pandreqshëm. Këtu kemi nevojë për një vend që që izolon
mendimet. Ku ka më mirë se një ditar si i Anës?! Dhe nëse duam të bëhemi pak
romantikë, smund të rri pa përfshirë pak ditarin e Elit në filmin “Notebook” që
Noah i lexonte asaj, çdo fragment të jetës së tyre bashkë, të hidhur e të
lumtur. Ashtu si fotografitë që fiksojnë çastet tona në mënyrë vizuale dhe
krejtësisht sipërfaqësore, ditari i shkruar në modën e vjetër fikson elementin e
jetës, të derdhur në fjalë ndër vite. Blogjet dhe të gjithë rrjetet sociale sot,
do shkojnë e do vinë, ditari është përgjithmonë aty, në kutizën e kujtimeve të
tua. Prandaj unë zgjedh ditarin e Anes.
No comments:
Post a Comment