Tuesday, February 26, 2013

Semafor





semafori i galerise

Këtë javë kam qënë në ndjekje të semaforit. Por jo atij urban. Një lloji të veçantë për nga kuptimi dhe jo krejt i ngjashëm me atë të zakonshmin. Nuk e mbaj mend pse nuk iu bashkova grupit të mikeshave të mia, të cilat, pasi kishin zbuluar përmes internetit një ekszopozitë të çuditshme, vendosën të shkonin ta vizitonin. Pasditen e të nesërmes u nisa edhe unë me dy vajzat e mia, por nuk patëm fat pasi ekspozita qe mbyllur. Paraditen tjetër, shkova vetëm, por sërish mbyllur. Edhe pse lokalizimi i vendodhjes ishte pak i mbrapshtë, i zorshëm për tu gjetur menjëherë, i zhytur mes disa rrugicave të thella diku nga rruga e liqenit të Tiranës, nuk hoqa dorë. Sepse semafori si koncept më intrigoi shumë. Ditën e tretë, pas shumë përpjekjeve dhe gërmimeve të mia për ti kontaktuar çunat e galerisë, më në fund ato ishin aty.


Orsoni është njëri nga tre artistët që menaxhojnë galerinë dhe që më shpjegon diçka rreth veprës. Klodian Deda, është artisti i cili nuk ndodhet për të folur mbi punën e tij “Semafor”, por ndërkohë një djalë tjetër, Astrit Tzani, me profil psikolog ka afishuar në murin e galerisë një kritikë për tu patur zili. Dola nga ajo sallë e vogël pas disa minutash, pasi kisha shtypur edhe unë butonin e semaforit ku jo pa qëllim i mungonte portokallia dhe ku ngacmimi mbi një tjetër dimension jetësor për këtë objekt, mori hov. U ula në cepin e preferuar të “çokos” me ëmbëlsirën time dhe fillova të mendoj si do ishte jeta jonë nëse do fusnim semaforin në shtëpi, dhe ne shoqeri, siç artisti në fakt e kishte menduar këtë detaj që me instalimin e tij në një sallë të mbyllur.

Por le të bazohemi në analogjinë tonë, të objektit të përditshëm që mban emrin shtëpi. Ajo është një kontinier i vërtetë me disa atribute të caktuara, ku në vetvete është një objekt pasiv (duke iu referuar hapësirës që zotërojmë, numrin e shtretërve, etj). Nga ana tjetër, ne, njerëzit që jetojmë aty (objekti aktiv) jemi të vetmit që përdorim dhomat, krevatetet, dushin, kuzhinen për të gatuar, shohim TV apo dëgjojmë muzikë me zë të larte. Sidomos kur hapësirën nuk e ndajmë me asnjë tjetër, gjithçka e kemi në funksion tonin. Deri këtu semafori mund të mos jetë shumë i domosdoshëm. Mirëpo pasi hapësira zotërohet nga një person i dytë, gjërat fillojmë dramatikisht të ndryshojnë kurs. Le të fokusohemi tek martesa. Aty ku ne tamshmë jemi vetë i dytë dhe ku gjithmonë duhet të sigurohemi përpara se futemi në dush nëse është i zënë nga  ai/ajo (flas për periudhën post-mjalt por vrap). Po ti shtojmë kësaj edhe nja dy fëmijë për të martuarit, gjërat fillojnë të bëhën më interesante në këtë shtëpi. Këtu nuk dua ti referohem familjes tradicionale shqiptare. Se po të vazhdoj, do ishin edhe prindërit e burrit, ndonjë vëlla a motër i pashkëputur akoma nga kulmi e kështu prania e semaforit është jetik. Prandaj po rri vetëm në familjen moderne shqiptare ku dhe përkufizimi që Astriti i kish bërë kësaj të fundit në asocim me veprën përmblidhej aq saktë: “Shtëpia e njeriut modern i ngjan një farke e më shpesh një tenxhereje me presion”. Këtu fillova të imagjinoj tualetin si të vetmen hapësirë të cilën nuk mund ta shfrytëzojmë bashkarisht, siç kundër ndodh me sallonin, kuzhinën, apo dhomat e secilit.  Gjithçka në këtë pikë ka të bëjë me prioritetin në mënyrë që presioni i tenxheres të ulet. Fillova të imaxhinoj të gjithë njerëzit në një shtëpi ku njëri zë tualetin dhe gjithë tjerët pas derës që presin. Të gjithë ato kanë urgjencat e tyre, dikush ka afat kohor për të qënë në një takim, tjetri për të mos humbur mësimin etj. Në këtë rast pyetja që shtrohet është; “ çfarë ndodh kur dera është e mbyllur? Kush e ka rradhen pastaj? Me të drejtë mund ta quash “të ndershme” që të përfitojë  ai që është i pari në radhë, më i vogli, apo më i moshuari, ai/ajo me emergjenca shëndetsore, profesionale etj. Me gjithë këtë llogjikë “të ndershme” prapë jemi bërë lëmsh e po shkapetemi dhe të gjithë mendojnë se kanë të drejtë të futen.
Prandaj semafori është përgjigja. Prioriteti që na jep ai duke mos na lënë në udhëkryq, duke eliminuar portokallinë me kalojmë s’kalojmë e bën po aq të nevojshëm prezencën e këtij arbitri të pashpirt. Ai na lejon ne të harmonizojmë lëvizjet tona shpeshherë të shtrembëruara edhe nga mendimet tona. Nje semafor do te ishte i nevojshem ne gjithe lemshin qe krijojne mosmarreveshjet, tekat dhe kapriciot e secilit prej nesh ne shtepi, e madje dhe me shume, ne shoqeri.

U kujtova që edhe gjatë vizitës në galeri, fizikisht, mu desh të shtypja butonin e semaforit në mënyrë që ai të më jepte lejen që të kaloja në tunelin tjetër. E kështu mu duk se u zura në grackë në fund të atij tuneli kur mu desh të prisja sa e kuqja të kthehej sërish në jeshile, në të kundërt unë do kisha një përplasje të pakëndshme me vizitorin pas meje. Në fakt kështu ndodh në disa shtete të bashkimit europian. Që semafori të bëhet jeshil duhet të shtypet nga njerëzit të cilët me të drejtë gjykojnë se kanë prioritet dhe të tjerët presin. Tek ne, rasti i semaforit urban me atë metaforik në shtepitë tona nuk duket se kanë shumë ndryshim.
Sa hap e mbyll sytë edhe unë kuptova se sapo kisha marrë një dozë të mirë kalorish nga çokollata ime, atë pasdite pas qëndrimit tim në semafor.

Orsoni, nje nga menaxheret e galerise

Wednesday, February 20, 2013

Komunikimi duhet të jetë matematikë….dhe ne se kemi shumë qejf matematikën



Fjalët janë ato që ndryshojnë sjelljen. Janë fuqia në një marrëdhënie. Mungesa e tyre, apo më keq, fjalët e gabuara, krijojnë një vakum të madh mes dy apo më shumë individëve. Ky vakum i cili mund të quhet ndryshe ndërprerje e komunikimit vjen si pasojë e fjalëve tona. Ndoshta ngjan si një leksion, por në fakt është ajo çfare ne jetojmë. Por pse komunikimi duhet të jetë matematikë dhe pse ne ngelim në klasë?! 

Gjatë gjithë kësaj jave kam qënë duke menduar dhe observuar komunikime të ndryshme, të njerëzve të ndryshëm, në situata të caktuara, nisur edhe nga ca eksperienca te miat (jo fort pozitive për hir të së vërtetës). Në fokusin tim të vëzhgimit ishte komunikimi në rrugë, në institucione, ai virtual, profesional e deri tek ai miqësor (nuk po përfshij atë familjar pasi lypset të trajtohet gjërisht më vete edhe pse gjithçka e merr fillesën aty). Ky mjet që supozohet të jetë zgjidhësi i shumë problemeve që gjenerojnë kriza, ka filluar të kthehet vetë në një problem të pazgjidhshëm.  Në një nga këto pasditet me shi, mikja ime më e mirë me të cilën po shijonim një cokallatë, filloi të më fliste shumë për moskomunikimin ose më saktë për atë lloj komunikimi servil nga njëra anë, dhe agresiv nga ana tjetër, që ekziton në vendet tona të punës. Në fakt edhe ajo vetë e di se kjo s’është ndonjë gjë e re, porse kjo po kthehet në një trend të konsoliduar dhe po bëhet shqetësues. Këtu mu kujtuan shumë episode të jetuara ca muaj më parë, që nisën të më shfaqeshin si momente ku komunikimi u kthye në një eksperiencë frustruese, me të cilën sigurisht nuk u përshatata. Këtu mikesha ime filloi të më shpjegonte se duke kaluar nga njëri problem tek tjetri, mospërshtatja dhe refuzimi në bllok i tyre, do krijonte gjëndje jo fort të mirë për realitetin në të cilin jetojmë. Megjithatë, në morinë e pështjellimeve psikologjike më erdh në mendje një atmosferë e ngjashme. Mu kujtua se si shumë punonjës që ta kenë mirë me shefin duhet të bëjnë shoqe sekretaren, edhe pse me të nuk të lidh asgjë profesionale, përvec etikes humane. Duhet ta kesh mirë me sekretaren, edhe se këto të fundit ndonëse të ndërgjegjësuara për rolin e limituar që kanë, kanë në dorë të realizojnë atë që quhet komunikim i varfër . Kjo, sigurisht sjell pasoja të mëdha në një kompani apo institucion, që çon më pas deri në cënim të integritetit të kujtdo që nuk është servil. Mund të renditen raste dhe shëmbuj pafund të sjelljes sonë për të cilën komunikimi nuk na bën shumë krenarë. Po ashtu, hirearkia vertikale në administratë, dhe shefat e egër dhe të gjithëditur, bëjnë që të mos ketë fare shkëmbim fjalësh apo idesh, por vetëm dhënie dhe marrje urdhërash. Kjo sjell një stres të përditshëm, pasi kemi qindra dhe mijëra vetë të palumtur në punën e tyre. Prandaj mendoj se komunikimi duhet të jetë matematikë. Sepse është shumë më tepër se të dërgosh e-maile, të dërgosh fax-e, memo, apo, të kalosh informacion edhe pse në të gjitha këto, fjala është sërish thelbi. Komunikimi ka të bëjë me diçka më shumë,  ka të bëjë me llogaritjet. Po, një komunikim i mirë duhet të planifikohet mirë, duhet të jetë i qëndrueshëm dhe mbi të gjitha i parashikueshëm për nga mesazhi, për bashkëbiseduesin tonë. Andaj pa llogaritje, fjala nuk mund të lëshohet. 
Megjithatë kjo është vetëm njëra anë. Nga ana tjetër, e parë në një kontekst më të gjërë, komunikimi na shërben ne edhe si mënyrë e të ndryshuarit sjellje për shumë kategori dhe grupe të margjinalizuara në shoqëri. Në ditët e sotme, komunikimi që ndodh si një proces i ndryshimit social të sjelljes, ka të bëjë gjithashtu me një farë bilanci. Në mes është një plan i qartë. Shumë programe ndërkombëtare e vënë theksin jo më tek ndihmat financiare konkrete, porse tek përpunimi i mentalitetit të këtyre grupeve përmes ndryshimit të sjelljes qe kryhet vetëm nëpërmjet komunikimit. Kjo do të thotë se nëse një kategori e shtresës vulnerabël nuk paguan detyrimet e energjisë elektrike apo të ujit, pavarësisht arsyetimeve të drejta apo jo mbi çmimin, ato duhet të ndryshojnë sjelljen e tyre kundrejt abuzimit. E thënë ndryshe, kultura e kursimit, e fikjes së një drite, apo mosshpërdorimit të ujit në mënyrë të vazhdueshme, çon në ndryshimin e sjelljes së tyre. Ky ndryshim është shtylla themelore e komunikimit. Ka të bëjë me saktësinë, e cila shkon përtej asaj teknike. Vetëm kështu, mund ta kalojmë klasën. 

Tuesday, February 12, 2013

Ditarin e Anës apo të Markut




Më qëllon shpesh që teksa mbyll një kapitull në librin "Fletoret e fshehta te gruas së Dostojevskit", ti lëshohem facebookut. Një përplasje kohësh, aromash dhe atmosferash. Ka një magji tek ditari i gruas së Dostojevskit, rëndësia që ajo i ka dhënë ditëve të atëhershme pranë një prej mendjeve më misterioze të letërsisë botërore, një ritual gati hyjnor se si ajo ka renditur orët e minutat e mesit të viteve 1800, kur fjala peshonte shumë dhe ishte me siguri më e vlerësuara në bursën e kohës. Këto ndjesi nuk i gjej dot në ditarin e madh të facebook. Më rastis ta lë librin shpesh, në mënyrë të shkujdesur, mbi laptop. Më del ky asocim, Ditari i Anës, mbi ditarin e Zukerbergut. A nuk është i tillë facebook, a nuk të thotë sa ta hapësh, çfarë ke në mendje, çpo ndodh?

Ditari mbetet një mënyrë e mirë për të shprehur ndjenjat, për të komunikuar me veten, për të ruajtuar kujtime, mendime apo edhe ngjarje të rëndësishme. Ai modeli i vjetër, ku prek letrën dhe ndjen stilolapsin në dorë. Për idenë klasike ku atë që shkruaj këtu nuk dua të ma lexojë njeri.
Edhe Ana G. Dostojevskaja e kish shumë të qartë diferëncën mes fletoreve të saj ditar, dhe atyre shënimeve të tjera për publik kur botoi “Kujtimet”, dhe kur nga ana tjetër nuk pranoi ti jepte zë mendimeve më intime të jetës me Fedian (siç e quan ajo Fjodor Dostojevskin). Por kureshtja njerëzore është aq e madhe sa këto fletore e panë dritën e botimit edhe pse kundër dëshirës së saj. Edhe pse të shkruara qëllimisht me një stenografi gati krejt të padëshifrueshme, ditarin e Anës sërish e kanë të gjithë.
Ndërkohë ditarin elektronik, tonin, ne me dëshirë e bëjmë publik, dhe po me kaq dëshirë kërkojmë ta lexojmë tek sa më shumë të tjerë. Nuk kursehet asgjë. Marrim vesh cdo detaj të jetës. Nga kulmet e mëdha të një dite, tek gjërat më të vogla, gati banale, për secilin që është në rrjet. Por nuk është ky problem. Në fakt, e keqja është se nuk jemi të vërtetë. Ky është një ditar i rrejshëm. Një ditar për shitje, ajo cka ne nuk jemi, po cfarë duam të tregtojmë.
Kur Mark Zuckerbergu na bën atë pyetjen e famshme për mendjen tonë ai gjithashtu e ka të qartë se ka filluar loja “telefon i prishur”. Se fotografia nuk është gjithmonë ajo çfare ne jemi në realitet, se komenti tek tjetri nuk është krejt i sinqertë, se mendimi jonë nuk shfaq gjithmonë atë çfarë na shqetëson, por vetëm atë çka ne mendojmë se do të na nxirrte mirë në publik,  krejt ndryshe pra. Me pak fjalë kemi filluar të gjithë një show. Në të shumtën e rasteve, nuk është koha e rrjeteve të medias sociale, por është koha e show-t dhe protagonizmit.
Ka një problem me të vërtetën në ditarin e Markut, që në atë të Anës del krejt lakuriq. Ditari elektronik ka avantazhe për disa probleme sociale, politike a shendetësore,  që na prekin të gjithëve, apo për dinamikën e jetës në kohët modern, por që ne në përgjithësi nuk e përdorim për këtë qëllim. E kemi kthyer në një bursë, ku presim të kuotohemi cdo ditë,e ku verifikojmë aksionet tona.
Kjo lë gjithnjë hapësirë për atë ditarin intim, atë bllokun e shtypur e të lidhur, ku ne mund të jemi të sinqertë me veten dhe të shihemi në një pasqyrë reale.
Kur ndihemi të vetmuar, keq shpirtërisht,  jo në humor apo në disa raste edhe të pashpresë, nuk i besojmë Markut se ai është thashethemaxhi i pandreqshëm. Këtu kemi nevojë për një vend që që izolon mendimet. Ku ka më mirë se një ditar si i Anës?! Dhe nëse duam të bëhemi pak romantikë, smund të rri pa përfshirë pak ditarin e Elit në filmin “Notebook” që Noah i lexonte asaj, çdo fragment të jetës së tyre bashkë, të hidhur e të lumtur. Ashtu si fotografitë që fiksojnë çastet tona në mënyrë vizuale dhe krejtësisht sipërfaqësore, ditari i shkruar në modën e vjetër fikson elementin e jetës, të derdhur në fjalë ndër vite. Blogjet dhe të gjithë rrjetet sociale sot, do shkojnë e do vinë, ditari është përgjithmonë aty, në kutizën e kujtimeve të tua. Prandaj unë zgjedh ditarin e Anes.






Monday, February 4, 2013

Një kafe në Shkozë, me Kitën, Kozetën dhe Dallandyshen

Brisilda me femijet e komunitetit Rom


Kita është një grua jo shumë e gjatë, me sy jeshilë, e qeshur dhe gjithë kohës mban në krahë vajzën e vogël. Vajzën e pestë të saj, që nuk e ka më shumë se 16 muajshe. Kozeta është 32 vjeçe, pak e shëndoshë, megjithëse prej muajsh nuk e dinte shkakun e rrumbullakësisë së saj. Ishte pak konfuze, në ishtë shatëzënë apo jo. Ndërsa 38 vjeçarja, Dallandyshja,  të bie kokës me gjërat që i thotë troç.

Nuk e njihte fushën e shtrembërimt të realitetit,  edhe pse po ta praktiktonte e dinte që do kishte përfitime.
Kjo është kafja ime e të shtunës, para fundit të janarit.  Një mëngjes i ftohtë, ku rrugët s’kanë lëvizjen e përhershme të orës 8:00. Gjatë rrugës që bëj me këmbë për të mbërritur tek sahati i Tiranës, aty ku do takohesha me Brisilden udhërrëfyesen time, mendoja se sa mirë do kish qënë sikur të isha ende në gjumë. Sikur ta kisha lënë për një ditë tjetër këtë takim, apo ta kisha shtyrë pak në kohë. Mirëpo e gjitha kjo mund të kishte kosto; s’do të mund ti takoja këto gra qoftë edhe një minutë më vonë, sepse ato e fillojnë punën shumë herët.
Nga ana tjetër, e kisha edhe me shumë qejf, se do pija kafe me disa vajza dhe gra që do i takoja për herë të parë.

Brisilda, është ndër të paktat e vajzave Rome që ka arritur të përfundojë studimet për marredhenie publike/komunikim.  Ajo pasi vendosi të më shoqëronte në këtë takim, pak e surprizuar kur më sheh që jam pa makinë, shpejton të më thotë që rruga është disi e gjatë deri në Shkozë. Ndërkohë unë nxitoj ti sqaroj (siç kam bërë gjatë gjithë kësaj kohe) se prej më shumë se një viti jam pa makinë se kam vendosur të kujdesem për shëndetin tim dhe ambjentin ku jetoj. (Ajo qe ndër të paktat që nuk qeshi)
Megjithatë ky detaj mbi mënyrën e jetësës, bie nga rëndësia kur shoh stilin e jetës së Kitës, e të tjerave si ajo dhe fëmijëve të tyre. Kalova ditën në Shkozë, me 57 familje Rome që banojnë aty, ku cdo familje shkon deri në 12 anëtarë secila, gjithsej 90 fëmijë, dhe me nga një barake të qepur mirë nga të katër anët me plastmas. Pa u futur mirë në komunitet, ndihet era e djegies së këpucëve për ngrohje.  
Kita është liderja e grupit. Më çon të takoj Kozetën, shoqen e saj e cila ka një problem të madh. Nuk e di ende a ka një fëmijë në bark apo jo. Domethënë të 4-tin, ose më saktë të 5-tin. Ajo më tregon se femija i 4-rt i ka vdekur dhe nuk ka pasur as lekë për ta varrosur. Bëhem shumë kurioze të di pse nuk bën një vizitë gjinekologjike dhe bashke më gratë e tjera më kthehet e më thotë jo pa nerva:  “Ne nuk na prekin me dorë, dhe pa leke nuk bëhet fjalë të na ndihmojnë”. Ajo nuk merr dot as kujdesin mjekësor por jo sepse e neglizhon vetë.

Ndërkohë Kita dhe ndonjë burrë tek tuk që vjen rrotull fillojnë nga ankesat, tani jo më për bukën e gojës por kërkojnë edukimin e fëmijëve të tyre. Dhe këtu është Dallandyshja e cila ndryshe nga të gjithë nuk më përmendi asnjë personazh politik. Kërkesa aspak të çuditshme për ndihma financiare, por nuk bën me faj ndokënd për situatën e vazhdueshme. Donte thejsht t’i jepte fëmijeve atë që s’kishte patur vetë. Këtë e pretendonte si një të drejtë të barabartë me të gjithë “rracën time”, kështu ma përkufizoi.
“Unë s’di të mbush një formular,-tha, se plaku im dontë të bënte 7 fëmijë, dhe nuk kishim me çfarë të ushqeheshim e as të visheshim për të shkuar në shkollë. Dy hapa larg e kishim shkollën, por pak xhelozia e babait (dhe këtu e kishte fjalën për fanatizmin) dhe pak shokët e klasës nuk na pëlqenin dhe ne po rrimë sot tu bo të njëjtën gja si nanat tona”- thotë  Dallandyshja.

Adi 10 vjeç thotë se edhe kur shkonte në shkollë atë e shanin shokët e klasës. Nuk luanin asnjëherë me të, nuk e thërrisnin kurrë në emer. “Edhe mësuesit nuk merreshin shumë me ne, me raste edhe na trajtonin keq. E pse duhet me shku në shkollë pra? As librat s’mi blejnë, as buk skam me vete, prandaj rri këtu, dhe mu më pëlqen shumë shkolla”.  Edhe përtej dëshirës së Adit, kjo prapë nuk ia ndryshon pozicionin social.

Paragjykimet se ata dinë dhe duan veç të lypin nuk se qëndrojnë 100 përqind. Ata e dinë se çfarë u duhet dhe kërkojnë të jetojnë. Eshtë e thjeshtë. Mund ta mësosh këtë duke i dëgjuar dhe duke i takuar. Nuk është aspak siklet të flasësh për romët dhe të pish një kafe me ta.





Kita dhe Kozeta