Kur Steve Jobs e pyeti drejtorin e Pepsit, “do ta kalosh gjithë jetën tënde duke shitur ujë me sheqer apo do ta kapësh këtë mundësi për të ndryshuar botën, duke punuar me mua”, ai me siguri e dinte se po i shtonte nje përkufizim të çmuar ambicies. Sepse Steve dhe ambicia ishin e njëjta gjë.
Ky motorr gjigand, ose është ose
nuk është brenda teje. Këtë mund ta vertetojë vetë Ron Wayne, partneri i parë i
Jobs-it (pas Wozniakut) në fillimet e Apple. Nëse ai do t’i kish qëndruar marrëveshjes
prej të cilës hoqi dore 11 ditë më vonë,
dhe të kishte ruajtur atë 10% e aksioneve të tij, në fund të vitit 2010 ai do të
kishte 2. 6 miliard dollarë pasuri. Ndërkohë ai sot jeton me një pension social
minimal.
Megjithatë, paraja nuk do jetë në
fokusin tim. Nuk qe as në fokusin e Jobs-it në fillimet e tij, e mbase nuk qe
kurrë prioritet ashtu siç nuk qenë as femrat dhe suksesi me ato. Nuk do merrem
me materialen, por me pasionin. Me pasionin, idealen, shpresën, ëndrrën dhe dëshirën
e një Steve tjetër, që mbase shpikje nuk do bëjë, por botës një ndryshim mund
ti sjellë. Prandaj, mendoj se ambicia nuk mësohet dhe mbi të gjitha nuk lind
nga materialja. Për më tepër kur ajo kopjohet s’është gjë tjetër veçse sipërfaqësore
dhe jo thelbësore. Më ndodh të njoh njerëz që edhe ëndrrën e kopjojnë e duke mos ditur shumë pasazhe të saj,
fillojnë ta keqpërdorin, të abuzojnë me të e në fund mund edhe ta shkatërrojnë.
Eshtë bukur kur ke ëndrra sepse ajo
është kreyqendra e ambicies. Pa ëndrrën ambicia nuk lind. Shumë aspirojnë të bëhen
vetëm të pasur (veçse pa e ditur se si), dhe këtu më vinë ndër mend disa njerëz
me të cilët kam punuar së fundmi, të cilët jetonin rrenshëm e mendonin ngushtë.
Disa të tjerë ëndërrojnë për promovimin e ideve të tyre , shumë nga këta njerëz
duan të bëhen lider, politikanë, biznesmenë a reformatorë social, që duan dhe mund
të sjellin ndryshimin. Janë këta që jetojnë thjeshtë dhe mendojnë lart.
Kur flasim për ambicien në shoqërinë
tonë, nuk mund të mos kujtohesh për dy politikanë. Besnik Mustafaj teksa përshkruante
një natë në një emision televiziv rrugëtimin e tij të vitit ’90, gjatë lëvizjes
studentore bashkë me mikun dhe kolegun Berisha tha: “ Unë dhe doktori ishim në dhomë, ra telefoni
dhe njëri duhej ta kapte dhe t’i përgjigjej Ramiz Alizë, unë thashë doktori është
ai që do flasë (…) Ishte shumë vonë, ne nuk kishim ngrënë gjithë ditën, mua më
kishin mbaruar cigaret dhe i thashë doktorit se është më mirë ta mbyllim për
sot e të takoheshim nesër”. Ai tha, “jo, tani sapo filloi”.
Në atë dhomë ishin dy njerëz, një
telefon, një fillim dhe një ambicie. Njëri zgjodhi të ikte në shtëpi, tjetri
hyri në histori.
Edhe kur Tirana ndryshoi
(1999-2000) kishte të bënte veç me ambicien e Ramës. Pavarësisht se sot të dy këto
personazhe secili në mënyrën e vet ka një interes të madh brenda ambicies për të
nesermen. Në atë të djeshmen ato besonin, besonim edhe ne. Ata, nuk e kishin të
mësuar e as të kopjuar. Mendoj se e kishin të lindur.
No comments:
Post a Comment