Monday, January 14, 2013

Diçka prej të dielave!





E kam konsideruar gjithmonë të dielën si ditën më të mërzitshme të javës. Megjithëse përherë kam menduar se zoti e ka bërë  ditën e shtatë për të pushuar. Një ditë për tu shplodhur dhe relaksuar.  Por në fakt më ngjan me  një ditë të “asgjësë”, që të bën dembele, një ditë në të cilën nuk ke shumë çka për të  bërë.  As edhe një punë produktive e aq më tepër një pushim total, një harrim si të thuash. Eshtë një nga ato ditët pa alternativa për të shkarkuar akumulimin e ditëve impenjative të javës.

Nga ana tjetër, në vetvete, është një ditë e bukur vetëm për t’u shijuar më familjen, fëmijët (për ato që kanë), me kafshët , me sportin, me ushqimin, me gjumin, me librin, me natyrën në përgjithësi, mirëpo seç ka një ngerç. Duket sikur sa herë vjen kjo ditë, gjithçka paralizohet.

Fatkeqësisht nuk kam në dorë të procedoj me reformën e së dielës sime se ajo nuk varet nga unë por nga shumë fakorë të jashtëm.   Ky fakt, shpeshherë  ma kthen këtë ditë nga e mërzitshme në një acarim shpërthyes. Themelet e kësaj ditë të mërzitshme janë hedhur e gati- gati po mbushen, kështu që mbase duhet të “kapitalizojmë” atë që tashmë është bërë e të shohim se çfarë mund të ndryshojë çatinë e të dielave të ardhshme. Nuk është aspak ngushëllues as filmi të “Dielat e mallkuara”, të Oliver Stone. Që nuk e di pse, por jepet zakonisht të hënave.

Për shembull, më mungon ajri që dua ta thith në parqe të vogla a të mëdha, mjafton të jenë disa dhe të ndryshëm nga njëri tjetri. Një hapësirë tamam relaksuese që ta bëjë këtë ditë vertet të tillë e që më jep luksin të kem edhe një birrë në dorë pa qënë e detyruar të ulem në një lokal.
Liqeni më ngjan si spital. Mungojnë hapësirat në lagje, me stola dhe pemë që të ulem në këtë fresk të lezetshëm ku teksa vajzat e mia lozin unë të ndihem e dobishme në këtë ditë të asgjësë.  Nëse duam të dalim me fëmijët, jam e kondicionuar vetëm nga baret që më ofron ky qytet me shumë smoking dhe deng me burra me skedina në duar. Fëmijët në Shqipëri s’kanë ku të luajnë për qejfin e tyre, pranë shtëpive të tyre dhe pa paguar minutat, në të vetmet ditë të bukura pushimi, duke rrezikuar t’u kthehen edhe atyre në të shëmtuara.

Pra çfarë jam duke kërkuar? Thjesht të kemi një ditë pushim prej vërteti. Edhe të mendosh se kjo që kërkoj unë për të dielat, është aq periferike sa dikush nga Europa do tallej me mua. Se në fakt ajo/ai ka të tjera ankesa. Për shëmbull mund të jetë që një të dielë asaj nuk i vjen libri i porositur që të enjten në amazon. Por mund të ndodhë edhe që ajo do të bëj shooping dhe dyqanet janë të mbyllura. Sa mirë?! Ne nuk e kemi këtë problem, por kemi një më të madh, paratë dhe malli skarco në dyqane.
E pra pse janë të dielat në këtë mënyrë që janë? Dhe nga kjo përfitojnë vetëm ata që e kanë ndarë mendjen të pinë të shtunave deri në mëngjes e të flenë deri vonë të dielave. Pjesa tjetër? 






No comments:

Post a Comment