Wednesday, April 3, 2013

Një ecje pranverore në Romë…. aspak romantike



Nuk ka si Roma në pranverë. Dielli shndrit, ajri është i ngrohtë, flladi që të ngatërron flokët, pemët dhe lulet sapo kanë nisur të çelin dhe nuk është akoma ai i nxehti përvëlues. “La primavera arriva”. Ka shumë filma për Romën. Për fundjava romatike atje, për arratisje të bukura të njerëzve të lodhur nga dinamika e kapitalizmit. 

Një film të tillë po shihja para pak ditësh, para se te nisesha me një grup shoqesh për në Romë, ku Julia Roberts eksploron në atë qytet magjik, të gjithë shijet e mundshme. Nga pastat, tek ëmbelsira e më pas te “gelato-ja”, tek historia antike e stili i jetës, pa nxitim, me romanë qe shijojnë jeten, e marrin atë ngadalë. Kjo nuk ishte hera e parë për ne në Romë.
Ishte hera e parë që e kishim ndarë mendjen ta ndalnim pak kohën (e kësaj radhe për këtë qytet). Por nuk gjetëm Italinë e TV, të filmave, të mediaset-it, atë vend që shumë prej nesh e kishin jetuar dikur si studente. Pamë një Romë pa humor, për të cilin fajim ia lamë krizës ekonomike. Mesa dukej, kjo krizë kishte goditur rëndë edhe buzëqeshjen italiane duke e kthyer shpesh në histeri. Gladiatorët romakë me veshjet e tyre që të presin në çdo cep të arkitekturës së lashtë të këtij qyteti, ishin egërsuar më shumë se Russel Crow në hakmarrjen e tij. Të vetmit gladiatorë të ditëve tona, të cilët aspak të bukur për të përmbushur qëllimin e fotografisë, i trajtonin keq turistët, kur refuzoheshin për të pozuar me ata. Për më tepër nuk kanë asnjë përngjasim me Giocomo Casanovën në sjellje, kur të afrohen për të  komplimentuar.  Koloseu i madh, me marifetgjinj te vegjët të cilët nëse i refuzon për foto, të shajnë si femra gërnjare.Që ditën e parë të pushimit, nisa të mendoj se mitin e gjentilesës italiane, çunave romakë,  i kishte marrë era me kohë e me vakt. Duke qënë se kishim qejf të ecnim në rrugët e këtij qyteti, vendosëm të fotografoheshim në piacat më të bukura. Pak hapa me tej koloseut, në një rrugë të gjërë veç për turistë e kalimtarë, e rrethuar nga kolona të larta e të lashta, ku të zë syri nja dy a tre parqe të vegjël, është një prej piacave më të bukura, Piaca e Venezias. Aty ku flaka përkujtimore rri ndezur në nderim të të rënëve e ku skupltura e Garibaldit mbi kalë të kujton luftëtarin hero. U bëmë gati për një pamje madhështore që duhej fiksuar në celuloid. Aty, në shkallë e sipër tyre ku qindra turistë shkrepnin aparatet në poza nga më të ndryshmet e të çuditshmet, mbikqyrësi i këtij pallati na u drejtua. “Nuk mund të bënim foto duke buzëqeshur se ishte një fyerje për të rënët”. Në fakt nuk ishte as e shkruar diku e as e zbatuar nga të tjerët para nesh. Me mendjen tonë, po e respektonim  këtë heroizëm të tyre, duke i buzëqeshur jetës dhe duke e celebruar atë me rininë tonë, se të tjerë kishin luftuar e sakrifikuar për këtë liri që kemi sot. Sipas mbikqyrësit Italian, ndoshta duhej menduar një foto e vrazhdë, e zymtë, sepse vetëm kështu mund të nderonim kujtimin e të rënëve dhe të fitonim besimin e tij, përpara se të na fluturonte jashtë me një dhunë të pa parë. Por ska gjë, ka piaca të tjera. Foto të tjera e mundësi për të qeshur pa na ndëshkuar njeri. Ndjekim intuitën tonë për të parë “Piaca Navona” e për të shijuar kafen më të vjetër të qytetit, e më pas për të provuar më në fund pastat dhe picat në vendin ideal të sakrilegjit gastronomiko-kulturor. Bëmë përzgjedhjet tona si nga menuja, arkitektura e deri edhe tek pozicionimi i restorantit në një nga rrugicat e qendres. Nuk e di nëse ishte rastësia e ditëve tona apo romanët ishin lodhur nga turizmi. Ngatërronin porositë, tortelinit i shisnin për ravioli, ngatërronin nënshtetësitë pasi kishin qejf të bënin kuize, ku herë i ngjanim disa vajzave ruse, here spanjolle, franceze e arabe, po kurrsesi nuk u shkonte mendja tek “fqinjët” e tyre, shërbimi ndërkohë ishte mënxyrë. Dhe ne si shqiptare nuk mund të rrinim duarkryq. Ai diskutimi paqësor i mjekes në Firenze, i financierës së një restoranti të rëndësishëm në Venezia i ekonomistes nga londra dhe psikologes nga Tirana, u kthye në një shesh betejë për shërbimin e ofruar, deri ne braktisjen e restorantit. Mirëpo, përgjegjësi i këtij restoranti pasi mori vesh prejardhjen tonë, vendosi të hiqte servisin nga tavolina duke shtuar, se duhej të ktheheshim në vendin tonë të izoluar ku deri para pak vitesh nuk dinim ç’ishin “makaronat”. E harruam këtë episod si shumë të tjerë të ndodhur në këtë qytet të lashtë, të cilin siç duket e mban veç historia, pasi aktualiteti lë pvr të dëshiruar.  Qeshëm aq shumë sa ishim gati të ktheheshim sërish tek “Fontana di Trevi”, aty në rrëmujën e njerëzve gjysëm të palosur, të tjerë të ngrirë për të bërë fotografinë e rradhës para statujës së kalit që hedh ujin në formën e shatërvanit dhe bindjes së njerëzve për plotësimin e dëshirës. Ishim gati të ktheheshim aty, që të mund të rimerrnim monedhat përkatëse që kishim hedhur me aq shumë buzagaz vetëm e vetëm që, profecia për të mos e prekur më Romën të mund të na realizohej. Rrotat e avionit prekën asfaltin shqiptar, “këtë tokë të bekuar” më zgjuan nga ëndrra e keqe romake dhe më bënë të mendoj se era e hudhrës, e sallamit, mishit, byrekut, djathit dhe e këmbëve të bashkëudhëtarëve të mi në kthim, qe më e ëmbël se çdo picë a ëmbëlsirë romake. Julia Roberts gënjen per Romën, dhe ai filmi ka shume mustardë. 




Friday, March 29, 2013

“Jo, ne nuk mundemi”, jemi shumë të frustruar


Të mërkurën që lamë pas, manifestimi përpara institucionit të presidencës për sigurinë ndaj fëmijëve tanë nisur nga ngjarja e fundit monstruoze, erdhi dhe iku, u tret në etër. Vetëm gjatë këtij muaji janë organizuar të paktën tri “protesta” që ngrejnë krye, për shqetësime të jetës sonë. Në këto lëvizje me ngjyrime krejtësisht sociale, zakonisht ka njerëz që vijnë si vëzhgues por edhe nga ata me të drejta të plota si pjesmarrës. Protesta e të mërkurës e nisur virtualisht në mëyrë masive dhe me entuziasëm, u rrudh për fat të keq në realitet. 

Nuk numëroheshin më shumë se 300 vetë, nga të cilët një pjesë e tyre kishin marrëdhënie profesionale me organizatorët. Gjithsesi, pavarësisht ndjenjës dhe shijes që të lë mosreagimi i njerëzve në këtë vend, nga ana tjetër ndjesia në ajër për ata të përgjegjëshëmit, se për çfarë duhet folur a vepruar, lidhet ngushtë me qetësinë që të transmeton ndërgjegja. Shpeshherë thuhet se është më mirë të provosh dhe të dështosh se sa të mos e provosh kurrë. Mund të ndodhë që në disa raste të ketë kuptim e të jetë e vërtetë, por në protestën e fundit ndaj pedofilisë, më saktë ndaj gjykatës që kishte toletuar një përbindësh, kam frikë se nuk është rasti jonë. Shqetësimi im, sidomos pas pjesmarrjes në atë tubim, lidhet me shkurajimin dhe zhgënjimin që kanë pësuar njerëzit mbi, kuptimin e besimin se ne mund të bëjmë diçka për atë që na prek e na takon. Një gjë të cilën nuk kemi luksin ta lejojmë të ndodhë. Por për fat të keq, kjo ishte e gjitha, shumë e parashikueshme për dy arsye. Së pari, prindërit e këtij vendi, komshijtë me të cilët hasemi çdo ditë në pritje a përcjellje fëmijësh në kurse, shkollë e angazhime, miqtë tanë, por edhe djemtë dhe vajzat e reja, me dije a padije, duhej ta dinin rëndësinë e tubimit të kësaj radhe. Por, siç ndodh gjithmonë në Shqipërinë tonë, edhe kur grumbullimet nuk kanë qëllim politik ato ngjyrosen. Pasi, është e pashmangshme që në organizime të tilla të mos e gjesh veten mes një kombinimi sa protestues për standarte  sociale –ligjore dhe kulturore, aq edhe ndaj sistemit qeverisës. Për këtë arsye, qytetarët e këtij vendi refuzojnë të lënë mënjanë ca punëra, për t’iu bashkuar shqetësimit të madh të përbashkët, siç ishte në këtë rast mbrotja dhe siguria e fëmijëve tanë. Dikush nuk mundi të lërë për pak minuta biznesin me vullnet të lirë, dikush tjetër nuk mundi të jetë pjesë e një ngritje zëri, për sa kohë ëshët pjesë e administratës publike, apo dikush tjetër është skeptik mbi atë që hedh një zë për organizim. Dhe këtu kalojmë tek arsyeja e dytë ku zakonishtnë, në thirrje të tilla qytetare, fokusi është problemi, dhe jo emrat apo individët. Sepse, kjo protestë nuk ishte vetëm e Erionit, Sevimit, Mentorit apo Altinit. Kjo protestë ishte e të gjithëve, edhe e pedagogëve të universiteteve të ndryshme, edhe e gazetarëve (përpos atyre që ishin në punë atë ditë), e juristëve, e disa nxënësve dhe studentëve që nuk kishin preferuar kafet e bllokut, aty ishin të majtë e të djathtë se nuk kishte vend për hamendësime politike. Kësaj radhe fokusi social nuk mungonte, njerëzit po.Sigurisht ato që ishin mbledhur aty para Presidentit kishin disa pika të rëndësishme për ti paraqitur, paccka se më shumë u reklamuan ndaj kamareva e mikrofoneve (me shpresën qe përfaqësuesit e këtyre institucioneve të shihnin lajmet). Megjithatë, aq pak sa ishim aty, menduam për një çast se sa kuptimplotë do ishte e gjithë kjo lëvizje nëse ndryshimi do qe i mundur. 

Thursday, March 21, 2013

Snobizmi, histerizmi dhe thjeshtësia e seksit tonë


Kaloi zhurma e 8 Marsit, si përherë edhe këtë vit. Kjo zhurmë është një ndër momentet më të mira për të matur temperaturën e gjysmës së mirë të këtij vendi. Eshtë dita kur termomentri shënon qartë në ç’gradë e kemi virusin, dhe ndodh që zhiva  të ç’orientohet. Por pse ç’orientohet zhiva dhe madje edhe vetë shoqëria? Sepse në 8 Mars  thënia “të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut”, është veçse një refren urban, dhe aspak gjitheperfshirës, ku gratë e periferisë dhe të fshatit mbeten jashtë. 


Ndryshimi dhe përparimi i madh në lëvizjen e grave dhe vajzave shqiptare do të vijë në fakt ditën kur gratë jo të lira, ato të dhunuara, të poshtruara, të sinqerta në dhimbjen e tyre, do ta shtyjnë veten të dalin jashtë mendësisë se, bashkëshorti që kanë, drejton frymarrjen e tyre. Vetëm kështu ne do krijojmë imunitet dhe do ti bëjmë ballë botës. Mirëpo deri sa këto gra të vendosin çdo bëjnë me fatet e tyre, në zonën e tyre të ngushtë, disa të tjera do të vazhdojnë të ndikojnë tek ato. 

Së pari,  janë “Snobistet” e pavërteta, të cilat në hipokrizi e sipër, shprehen se 8 Marsi nuk është festë (dhe festojnë sa munden). Mbi të gjitha nuk janë fort të qarta mbi këtë ditë të sakrificës e cila nuk është dita e nënave, por e gruas. E gruas qe dikur ka qënë vajzë, e asaj që është sot, e gruas si bashkëshorte, e gruas që ka sjellë në jetë fëmijë, e më pas është bërë gjyshe. E saktë nuk është festë. Sepse jemi të ndërgjegjshme që gratë duhet të vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre në shoqëri dhe rezistenca mund të haset në të gjthë sektorët sot. Por mund të shijojmë një fije shpresë sepse ne, gratë e ditëve moderne, kemi luksin të mos luftojmë më për disa të drejta bazike themelore dhe jetike, sepse këtë arritje e kemi dhuratw nga gratë e 156 viteve më parë. Këto beteja dhe shumë të tjera i fituan ato për ne, që sot ta kemi më të lehtë. 8 marsi wshtw njw kujtesw pwr kwtw fakt, dhe rrugws së gjatë që kemi për të bërë. Më shumë se kaq, ka të bëjë me reflektimin e secilës prej nesh mbi liritë e mendimit dhe të veprimit. Simbolikë domethënëse që vesh shanset tona për botën që duam. Nuk e di nëse këto vajza snobiste si bija nënash nuk urojnë në këtë ditë, apo refuzojnë të marrin një buqetë me lule nga fëmijet e tyre që në zgjim. Dhe nëse nuk besojnë në simbolikën e kësaj dite nuk kanë vërtetë arsye të festojnë por as edhe të protestojnë. 

Së dyti, histerizmi që shoqëron këtë ditë është i pashoq. Përpjeket e mëdha që bëhen për organizime a tubime dhe që shoqërojnë një kauzë sa të vështirë aq edhe të dhimbshme, ia humbin vlerën kauzës. Ose për të qënë më saktë, nuk shkon as në syrin dhe as në veshin e gruas, për të cilën kauza merr frymë. Eshtë e gjitha për television dhe një pushtet më shumë për ne që e lëvrojmë këtë fushë. Edhe kur telefonat s’pushojnë në këtë ditë për të mbushur panelet dhe ekranet me mendimet e pandryshuara, sidomos kur bëhet fjalë për ato, “ qytetarët e thjeshtë” siç i quajnë mendimtaret (e përbëra) në ekran, prapë ka një garë gati në ekstazë. Në shqipëri gratë vriten. Ky është realiteti. Problematikat e tjera janë të pakonsiderueshmë në raport me këtë krim. Edhe pse aktivizmi është një lëvizje e vështirë dhe jo të gjitha gratë mund ta ndjekin, kjo nuk do thotë që ato të kthehen në cirk. Për këtë arsye 8 Marsi nuk është vetëm parade dhe kronikë ne televizione. As aktivitet politik. Është aktivizim për ndryshimin e mendësisë së grave rurale që sjell zhvillimin e stilit të jetës së tyre e më pas shoqërisë. Nuk është një garë kush bërtet më shumë apo lëshon parulla më të bukura ku në fund të ditës shprehen zilitë kush e organizoi më mirë a më bukur paradën. Kush ka kë apo më shumë në krah. Nuk mund të çirremi duke u bërë thirrje për mesazhe e lançim të tij. Koha e mesazheve ka kaluar, ëshët kohë për veprim për të cilën duhet pyetur vetja pse nuk na bashkohen gratë vertetë jo të lira?! 

Së fundmi, mendoj se ato gratë e qytetve të vogla, apo ajo gruaja në fshat e cila përgjatë gjithë vitit shfrytëzohet më keq se bagëtia që ka në bahçe, ka të gjithë të drejtën të festojë. Sepse, ato, ndryshe nga snobet dhe tubueset e zhurmshme të qytetit e shohin këtë ditë si të vetmen rrugë të shprehjes së gëzimit, shplodhjes, heqjen dorë nga përgjegjësitë dhe angazhimet si dhe të bëjnë qejf si kurrë ndonjëherë gjatë vitit. Jeta frustruese dhe dhunuese që i ofrohet nga partneri dhe kushtet, çdo ditë, e ben 8 marsin e tyre nje gomardare shpetimi. Ateherë pse këto gra u dashkan të hiqkan dorë edhe nga ajo pak liri që u jep festa, për të bërë protestën e bulevardit?!

Wednesday, March 13, 2013

Të rinjtë e (pa) punësuar dhe gara që nuk ekziston





Ja një provë për argumentin se ne prodhojmë më shumë lajme se sa konsumojmë. Ngjarjet e sotme zëvendësohen nga ngjarje të tjera një ditë më pas, dhe mbesin ide të papërtypura dhe pa reflektim mbi to. Pak ditë më parë, u bë publik një studim ku thuhej se 50 përqind e të rinjve duan të largohen nga vendi.Një lajm në vetvete i rëndësishëm, por që u harrua të nesërmen.Statistika është alarmante në fakt, dhe duke marrë parasysh këtu atë pjesë vitale të të rinjve që duan të punojnë dhe të kontribuojnë për vendin, jo ata që hallakaten bareve me orë të tëra me makiato e cigare.

Të  rinjtë  janë  të  parët që  ankohen se jo vetëm nuk gjejnë  punë  por edhe u drejtohet gishti duke i quajtuar dembelë  dhe që  puna nuk u pëlqen. E si rrjedhoje (pa) punë simi i tyrë  gjen justifikim. Në  fakt realiteti nuk i ka ofruar një  mundësi të  lojës në  fushë . Kjo është  një  arsye e fortë  pse 50% e të  rinjve në  vendin tonë  (sipas studimit të  një  fondacioni gjerman) dëshirojnë  të  largohen nga shqipëria dhe gjysma tjetër është  e ndarë, mes militantizmit të  tyre në  forumet partiake dhe cfarë mbetet, janë dyshues ndaj institucioneve publike a private megjithese duan nje pune ne administrate. Me pak fjalë, “ndershmëria” e praktikës për të  gjetur një  punë  me meritokraci në  këtë  vënd është gati mison i pamundur.
Nuk është  shumë  e lehtë  të  gjesh një  përcaktim të  vetëm që  përmbledh një  mentalitet mbarë botëror mbi atë  çfarë  është  “ndershmëria” në këtë rast. Por pas shumë  kërkimesh, më rezulton se ndershmëria në  Belgjikë  dhe në  Luksemburg përshembull ka të  bëjë  me “ praktikat e punësimit të  ndershëm”. Ndërkohë  në  Zvicër dhe Spanjë, i referohet si “parimi i besimit të mirë”, e në  Itali si “korrektësi profesionale”. Ndërsa tek ne,  ngjan me “shanset kanë  vdekur”. Le ti referohemi shembujve të  mësipërm për të parë gjëndjen e tre kategorive të të rinjve sot në  Shqipëri, sipas studimit të fondacionit gjerman.

Së  pari, pse duan të  largohen te rinjtë? Nuk është  joshja e Europës me bukuritë  e saj, “ky kontinent vrastar”, siç e quan Amos Oz në  librin e tij, ajo që  i bën ta mendojnë këtë. Eshtë  puna që  nuk kanë  e që  nuk gjejnë  në  Shqipëri.
Megjithë se fenomeni i papunësisë  tek të  rinjtë  (mosha 22-30, te diplomuar) sigurisht, nuk është  aspak një  problem shqiptar. Bota e zhvilluar e ka papunësinë e të  rinjve në  shifra alarmante, si Europa, apo dhe Australia. Mirë po shkaqet janë  krejt të  ndryshme nga tonat. Atje theksi bie për shkak të  fluksit të  lartë  të  emigranteve, në  Shqipëri për shkak të  mosofrimit. Ka të  bëjë  më  ofertën që  hidhet në  treg dhe me moskonkurrencën.  Njoftimet e punësimit s’kanë  as kohën fizike për të  mbërritur tek zyrat e punës, sepse që  para publikimit/afishimit të  tyre në  media, ajo punë  është  “marr/zënë ”. Nganjëherë  ke frikë  të  futesh në  garë  sepse të  ngjan me slloganin “tokë  e zanme” edhe pse ti posedon gjithë  të  drejtat dhe aftësitë,  ai tjetri ka më “shumë”.  Me fjalë  të  tjera, gara kthehet në  lojë  fjalësh dhe shumë  shpejt institucionet apo organizatat tashmë e kanë  punësuar  më të  “zotin”. Një  tjetër shqetësim i të  rinjve lidhet me ofertat që janë  kryesisht të  profilit jo akademik, çka tregon se pozicionet e kërkuara nuk përkojnë me profesionet.  Kjo ndodh sepse cikli i institucioneve publike e private dhe tek kompani të  mëdha vendase e ndërkombëtare, është  i mbyllur. Si pasojë,  të  vetmet vende bosh janë  gjithmonë  baret.   

Së  dyti, pse të  rinjtë  e shohin shpresën për të  “kapur” një  vend të  mirë  pune duke milituar në  forumet partiake? Zakonisht për çështje të  tilla siç është punësimi, përgjigjet nuk janë  asnjëherë  të  lehta, mirëpo Shqipëria në  rastin konkret ofron përgjigje pa fund. E njohur nga të gjithë, tashmë si sindrome , të  jesh pjesë  e forumeve partiake do të  thotë  të  sigurosh një  vend pune çfarëdo në  sektorin publik. Kjo, në  të  shumëtën e rasteve nuk ka të  bëjë  me kualifikimin e as me ekspertizën e fushës.  Megjithatë  për të  mos bërë  gjithmonë qaramanin ndoshta çështja duhet parë  edhe në  këtë  drejtim. Mbase, duhet pranuar që  gjatë  konkurimit, dikush tjeter ka qënë më i kualifikuar, më  me prespektive, jo dembel, më  me eksperiencë  e pse jo edhe më  i zgjuar? Po, edhe kjo mund të  jetë, veçse shumë  programe që  prodhohen nga këto të punësuar dështojnë  dhe shpeshherë  rezultatet janë  mediokre.

Së  treti dhe së  fundmi, pse të  rinjtë  janë  kaq dyshues ndaj institucioneve dhe organizmave ndërkombëtarë  që  operojnë  në  vend?
Ky është  një  problem që  po haset përditë  e më  shumë  duke u kthyer nga problem në  “panik moral” për të  gjithë  ne. Gjithsesi, një  tregues dhe matës i mirë  i trendit të  dyshimit që  kanë  të  rinjtë  është  numri i aplikantë ve për një  vënd pune. Sipas të  dhënave dhe burimeve nga vetë  të  rinjtë  dhe zyrave ku paraqesin aplikimet për punë,  raporti varion nga 60 deri ne 150 aplikues për një  vend pune. Ndërkohë, duke mos qënë  aspak paragjykues por racional fituesi nuk është  asnjiherë  më  i miri, më  i kualifikuari apo edhe më  eksperti i fushë  prej të  ciliës kërkohet. Atehërë  për çfarë  sherben gara? Ndryshe nga vendet e Europës apo bota perendimore ku shkaqet/arsyet e vërteta të papunësisë  janë  me dhjetra si ; mungesa e kualifikimit, ato gjeografike, pagesa minimale, faktorë  të  tjerë  social-kulurorë , etj, në  Shqipëri, arsyeja kryesore duket se është  mungesa e garës dhe transparencës në  konkurim.