Monday, January 28, 2013

Mamatë e jetës së natës

Ne nje prej pub-eve te Tiranes


Vetëm sepse jam një mama, kjo sdo të thotë që smë pëlqen jeta e natës e ta shijoj atë me “gocat”.  Sdi sa shpesh shihet kjo fotografi  në rrugët e qyteteve tona, por në Tiranë ajo po bëhet perherë e më klikuar. 


Shumë kujt nga ne u ndodh, që fundjavave, të ndeshet me të qeshurat, bisedat, ndihmesat për një parkim të saktë apo kërcitjet e takave në rrugët e këtij kryeqyteti. Detajet sigurisht variojnë, shpesh ato ndodhin në zhurma dhe më zë të lartë e disa të tjera me nota më të qeta. Veshja dhe stili gjithashtu ndryshon nga grupi në grup. Eshtë e gjitha kjo, një pjesë e anës femërore të jetës së natës.
Këtë të shtunë dola me një qëllim ndryshe nga herët e tjera. Të kuptoja ose më mirë ta dëgjoja nga goja e tyre arsyen e sinqertë të daljes nga shtëpia dhe rikthimit në orët e para të mëngjesit të ditës së re.
Kësaj rradhe mu desh të mos përqëndrohesha vetëm në një klub nate “të përhershmin”, por të lëvizja në 3 të tillë. Mu desh të shëtisja në disa tavolina, aty ku vajzat ishin pa praninë e meshkujve e të bisedoja me ato.

Takova vajzat e jetës së natës të cilat me ndonjë mama në grupin e tyre flasin për gjithçka e për këdo që i rrethon në ato çaste. Duket sikur kanë vite që heshtin dhe tani është ora për t’u shprehur.
Teksa vajzat janë më të relaksuara, ato të tjerat i sheh pak si më në ankth, të veshura me ndonjë hije pishmani apo edhe me levizje që lidhen me telefonin. Arsyeja? Fëmijët, të cilët ndoshta pas shumë kohësh, ditësh javësh apo muajsh janë lënë sërish “vetëm”.    

Megjithatë, nga fillimi deri në fundin e kësaj nate, kuptova që të gjitha i bashkonte një gjë, i njëjti shikim në sytë e tyre. Nata për ato është anija kozmike në të cilën sapo kanë vënë këmbët dhe janë nisur fluturim jashtë orbites së tokës. Kështu më ngjau ky shikim.
Frekuentimi (me raste) pa praninë e partnerit në jetën e natës së këtyre grave dhe vajzave si dhe dëshirës për të qënë veç ato, thjesht, vetëm me njëra tjetrën, janë një ritual i keqkuptuar në kulturën e ditëve të sotme. Ky keqkuptim pengon që kjo dalje të shihet si një mënyrë e mirë për të shfryrë një copë të duhmës nëpërmjet thyerjes së rregullave në orët e vona.
Shumë burra mëndojnë se partneret e tyre të bëra bashkë në një gjini të vetme flasin veç për këpucë dhe seks (që në fakt gabohen vetëm pak), pasi shumë prej tyre ndjehen edhe fajtore që i kanë lënë ata vetëm, rrobat e palara, enët kapicë, darkën e fëmijëve,(flasim këtu edhe për ato gra që nuk preferojnë të kenë një mirëmbajtëse shtëpie) etj, sa që për një moment janë gati të zbresin nga anija. Mirëpo forca e gocave të grupit bën që motorrët të mos shuhen dhe lëvizja ka filluar, kthim mbrapa nuk ka. Ngjan si “one way ticket”.

Në këtë pikë, mamatë tona qëndrojnë në bord.
Ka shumë aventura në hapësirë.  Mes të qeshurave lehtësuese, shijimit të kokteilit, shpërfilljes së ngacmimeve dendur pa rëndësi, dhe ndricimit vezullues në sinkron me njëra tjetrën, e bëjnë jetën e natës një arratisje të plotë, me shpresë se e kthen anijën në tokë më me shumë energji dhe dëshirë për çdo detaj të jetës.
Edhe unë isha në bord të shtunën dhe është shumë e rëndësishmë të kuptosh anën e mirë që vjen nga shpenzimi i pak orëve të natës jashtë në këtë qytet në praninë e ekuipazhit  femëror. Kjo ndihmon mamatë në 3 drejtime; 1. Ato do të jenë më të gatshme, më të qeta dhe sigurisht do të kenë energji plus për të shpenzuar më shumë me fëmijët e tyre; 2. Ato kanë jetë edhe pas përmbushjes së detyrimeve familjare dhe profesionale; 3. Si dhe  do e shohin shtëpinë sërish si një ambjent ku mund të argëtohen në familje me njëri tjetrin dhe jo vetëm në funksion të shërbimit ndaj pjestarëve të tjerë.





Monday, January 14, 2013

Diçka prej të dielave!





E kam konsideruar gjithmonë të dielën si ditën më të mërzitshme të javës. Megjithëse përherë kam menduar se zoti e ka bërë  ditën e shtatë për të pushuar. Një ditë për tu shplodhur dhe relaksuar.  Por në fakt më ngjan me  një ditë të “asgjësë”, që të bën dembele, një ditë në të cilën nuk ke shumë çka për të  bërë.  As edhe një punë produktive e aq më tepër një pushim total, një harrim si të thuash. Eshtë një nga ato ditët pa alternativa për të shkarkuar akumulimin e ditëve impenjative të javës.

Nga ana tjetër, në vetvete, është një ditë e bukur vetëm për t’u shijuar më familjen, fëmijët (për ato që kanë), me kafshët , me sportin, me ushqimin, me gjumin, me librin, me natyrën në përgjithësi, mirëpo seç ka një ngerç. Duket sikur sa herë vjen kjo ditë, gjithçka paralizohet.

Fatkeqësisht nuk kam në dorë të procedoj me reformën e së dielës sime se ajo nuk varet nga unë por nga shumë fakorë të jashtëm.   Ky fakt, shpeshherë  ma kthen këtë ditë nga e mërzitshme në një acarim shpërthyes. Themelet e kësaj ditë të mërzitshme janë hedhur e gati- gati po mbushen, kështu që mbase duhet të “kapitalizojmë” atë që tashmë është bërë e të shohim se çfarë mund të ndryshojë çatinë e të dielave të ardhshme. Nuk është aspak ngushëllues as filmi të “Dielat e mallkuara”, të Oliver Stone. Që nuk e di pse, por jepet zakonisht të hënave.

Për shembull, më mungon ajri që dua ta thith në parqe të vogla a të mëdha, mjafton të jenë disa dhe të ndryshëm nga njëri tjetri. Një hapësirë tamam relaksuese që ta bëjë këtë ditë vertet të tillë e që më jep luksin të kem edhe një birrë në dorë pa qënë e detyruar të ulem në një lokal.
Liqeni më ngjan si spital. Mungojnë hapësirat në lagje, me stola dhe pemë që të ulem në këtë fresk të lezetshëm ku teksa vajzat e mia lozin unë të ndihem e dobishme në këtë ditë të asgjësë.  Nëse duam të dalim me fëmijët, jam e kondicionuar vetëm nga baret që më ofron ky qytet me shumë smoking dhe deng me burra me skedina në duar. Fëmijët në Shqipëri s’kanë ku të luajnë për qejfin e tyre, pranë shtëpive të tyre dhe pa paguar minutat, në të vetmet ditë të bukura pushimi, duke rrezikuar t’u kthehen edhe atyre në të shëmtuara.

Pra çfarë jam duke kërkuar? Thjesht të kemi një ditë pushim prej vërteti. Edhe të mendosh se kjo që kërkoj unë për të dielat, është aq periferike sa dikush nga Europa do tallej me mua. Se në fakt ajo/ai ka të tjera ankesa. Për shëmbull mund të jetë që një të dielë asaj nuk i vjen libri i porositur që të enjten në amazon. Por mund të ndodhë edhe që ajo do të bëj shooping dhe dyqanet janë të mbyllura. Sa mirë?! Ne nuk e kemi këtë problem, por kemi një më të madh, paratë dhe malli skarco në dyqane.
E pra pse janë të dielat në këtë mënyrë që janë? Dhe nga kjo përfitojnë vetëm ata që e kanë ndarë mendjen të pinë të shtunave deri në mëngjes e të flenë deri vonë të dielave. Pjesa tjetër? 






Monday, January 7, 2013

Ambicia nuk mësohet





Kur Steve Jobs e pyeti drejtorin e Pepsit,  “do ta kalosh gjithë jetën tënde duke shitur ujë me sheqer apo do ta kapësh këtë mundësi për të ndryshuar botën, duke punuar me mua”, ai me siguri e dinte se po i shtonte nje përkufizim të çmuar ambicies.  Sepse Steve dhe ambicia ishin e njëjta gjë.  


Ky motorr gjigand, ose është ose nuk është brenda teje. Këtë mund ta vertetojë vetë Ron Wayne, partneri i parë i Jobs-it (pas Wozniakut) në fillimet e Apple. Nëse ai do t’i kish qëndruar marrëveshjes prej të cilës  hoqi dore 11 ditë më vonë, dhe të kishte ruajtur atë 10% e aksioneve të tij, në fund të vitit 2010 ai do të kishte 2. 6 miliard dollarë pasuri. Ndërkohë ai sot jeton me një pension social minimal.
Megjithatë, paraja nuk do jetë në fokusin tim. Nuk qe as në fokusin e Jobs-it në fillimet e tij, e mbase nuk qe kurrë prioritet ashtu siç nuk qenë as femrat dhe suksesi me ato. Nuk do merrem me materialen, por me pasionin. Me pasionin, idealen, shpresën, ëndrrën dhe dëshirën e një Steve tjetër, që mbase shpikje nuk do bëjë, por botës një ndryshim mund ti sjellë. Prandaj, mendoj se ambicia nuk mësohet dhe mbi të gjitha nuk lind nga materialja. Për më tepër kur ajo kopjohet s’është gjë tjetër veçse sipërfaqësore dhe jo thelbësore. Më ndodh të njoh njerëz që edhe ëndrrën e kopjojnë  e duke mos ditur shumë pasazhe të saj, fillojnë ta keqpërdorin, të abuzojnë me të e në fund mund edhe ta shkatërrojnë.

Eshtë bukur kur ke ëndrra sepse ajo është kreyqendra e ambicies. Pa ëndrrën ambicia nuk lind. Shumë aspirojnë të bëhen vetëm të pasur (veçse pa e ditur se si), dhe këtu më vinë ndër mend disa njerëz me të cilët kam punuar së fundmi, të cilët jetonin rrenshëm e mendonin ngushtë. Disa të tjerë ëndërrojnë për promovimin e ideve të tyre , shumë nga këta njerëz duan të bëhen lider, politikanë, biznesmenë a reformatorë social, që duan dhe mund të sjellin ndryshimin. Janë këta që jetojnë thjeshtë dhe mendojnë lart.

Kur flasim për ambicien në shoqërinë tonë, nuk mund të mos kujtohesh për dy politikanë. Besnik Mustafaj teksa përshkruante një natë në një emision televiziv rrugëtimin e tij të vitit ’90, gjatë lëvizjes studentore bashkë me mikun dhe kolegun Berisha tha:  “ Unë dhe doktori ishim në dhomë, ra telefoni dhe njëri duhej ta kapte dhe t’i përgjigjej Ramiz Alizë, unë thashë doktori është ai që do flasë (…) Ishte shumë vonë, ne nuk kishim ngrënë gjithë ditën, mua më kishin mbaruar cigaret dhe i thashë doktorit se është më mirë ta mbyllim për sot e të takoheshim nesër”. Ai tha, “jo, tani sapo filloi”. 
Në atë dhomë ishin dy njerëz, një telefon, një fillim dhe një ambicie. Njëri zgjodhi të ikte në shtëpi, tjetri hyri në histori.

Edhe kur Tirana ndryshoi (1999-2000) kishte të bënte veç me ambicien e Ramës. Pavarësisht se sot të dy këto personazhe secili në mënyrën e vet ka një interes të madh brenda ambicies për të nesermen. Në atë të djeshmen ato besonin, besonim edhe ne. Ata, nuk e kishin të mësuar e as të kopjuar. Mendoj se e kishin të lindur.